Home Bota “Kërcënimi më i madh për njerëzimin nuk janë ndryshimet klimatike, por inteligjenca...

“Kërcënimi më i madh për njerëzimin nuk janë ndryshimet klimatike, por inteligjenca artificiale”

Një nga mendimtarët më të mëdhenj në lidhje me inteligjencën artificiale thotë se teknologjia është për njerëzimin një kërcënim më i madh se ndryshimi klimatik. Nick Bostrom, profesor i filozofisë në Oksford parashikon se e ardhmja e paqartë e inteligjencës artificiale mund t’i sjellë njerëzimit pasoja të rënda.

“Nuk ka gjasa që ndryshimi i klimës të sjellë ndonjë rezultat të mirë, por nëse zhvillimi inteligjencës artificiale (AI) rezulton negativ, do të jetë shumë më keq se ndryshimi i klimës: inteligjenca artificiale mund të jetë një gjë me të vërtetë pozitive për njerëzimin, ajo gjithashtu mund të ketë pasoja shumë serioze“, shprehet ai.

Bostrom është një njohës shumë i mirë i kësaj fushe, mbi të cilën ka botuar disa libra. Mes tyre është edhe “Superinteligjenca: Tendencat, rreziqet dhe strategjitë”.

Apeli i tij u drejtohet dy palëve të interesuara, që gjithashtu e kanë vlerësuar filozofin e Harvardit: Elon Musk, i cili gjithashtu nuk i ka fshehur opinionet e tij apokaliptike në lidhje me inteligjencën artificiale, por edhe Bill Gates, si mbështetës i matur i zhvillimeve teknologjike.

Bostrom nuk e heq rastësisht paralelen mes inteligjencës artificiale dhe ndryshimeve klimatike, një forcë që mund të dëmtojë Tokën në mënyrë të pakthyeshme, nëse nuk ka një kthesë radikale brenda dekadës së ardhshme.

“Arsyeja pse inteligjenca artificiale shpesh përshkruhet nga mediat si një robot i keq është se ajo shërben për ta treguar më mirë historinë: robotët janë dukshëm më bindës se një çip brenda një kutie të zezë: mund t’i shohësh dhe t’i dëgjosh në një mënyrë që nuk mund ta bësh me një çip. Por e keqja qëndron te fakti se inteligjenca artificiale mund të jetë indiferente ndaj qëllimeve njerëzore“, thotë ai.

Të gjitha entitetet inteligjente, si njerëzore ashtu edhe artificiale, kanë qëllime, edhe nëse ato janë të programuara paraprakisht. P.sh. në rastin e termometrave, inteligjenca konsiston në matjen e temperaturës.

Frika e Bostrom është se nëse inteligjenca artificiale bëhet mjaftueshëm e aftë për të arritur objektivat e njeriut, edhe ato që duken të padëmshme mund t’i dëmtojnë pa dashje njerëzit.

Në një artikull të vitit 2003, Bostrom ka sjellë shembullin e një pajisjeje të inteligjencës artificiale, objektivi i vetëm i të cilës është maksimizimi i prodhimit të kapëseve të letrës.

Nëse kjo pajisje e inteligjencës artificiale arrin të riprogramojë veten për të përmirësuar inteligjencën e saj – një gjë që aktualisht disa pajisje të ngjashme të zhvilluara nga Google e bëjnë – ajo mund të bëhet mjaftueshëm e zgjuar për të përtërirë mënyrat e maksimizimit të produktit, duke shkuar përtej objektivit njerëzor.

Shembulli mund të duket krejt i pagjasë, por Bostrom thotë se indiferenca e inteligjencës artificiale ndaj objektivave njerëzore tashmë mund të jetë një kërcënim real.

Për ta bërë më të kuptueshme, Bostrom sjell shembullin e asaj që e konsideron rrezik real.

“Mënyra më e rëndë në të cilën inteligjenca artificiale mund të ketë ndikim negativ është roli i sistemeve të informacionit, si përzgjedhja e lajmeve që konfirmojnë paragjykimet e njerëzve ose veprojnë si sisteme të mbikëqyrjes“, thotë ai.

Probleme të tilla kanë nisur të shfaqen tashmë. Rasti më i fundit është pikëpyetja e ngritur nëse Amazon dhe Microsoft duhet t’u shesin teknologjinë e njohjes së fytyrës agjencive qeveritare.

Bashkimi Civil për Liritë në SHBA (ACLU) ka njoftuar para disa kohësh se Amazon ua kishte shitur një teknologji të ngjashme (Rekognition) agjencive qeveritare dhe policore, me qëllim mbikëqyrjen publike dhe identifikimin e “elementëve me interes “. Madje, ACLU gjithashtu zbuloi vitin e kaluar se ky program kishte identifikuar gabimisht 28 anëtarë të Kongresit si njerëz të arrestuar.

Për Bostrom, sfida e madhe për njerëzimin është të kontrollojë inteligjencën artificiale dhe ta programojë atë për t’u përshtatur me objektivat e veta.

“Vështirësitë e para do të jenë të karakterit teknik, si gjetja e një mënyre për të zhvilluar inteligjencën artificiale në një mënyrë të kontrolluar. Nëse supozojmë se do ta zgjidhim këtë, objektivi i radhës mbeten vështirësitë sociale që lidhen me krijimin e një rendi botëror në shërbim të së mirës së përbashkët“, thotë Bostrom.

A po e zhvillojnë kompanitë e mëdha këtë lloj teknologjie në mënyrë të kontrolluar? Google, Amazon, Facebook dhe Apple janë në pararojë në lidhje me këtë, por disa studiues besojnë se ato nuk po zhvillojnë një inteligjencë artificiale që është në përputhje me qëllimet njerëzore.

“Njerëz që punojnë për këto kompani janë të përkushtuar për ta bërë inteligjencën artificiale të sigurtë dhe të pajtueshme me atë që kërkon njeriu. Por unë gjithashtu kam ndjesinë se ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se çfarë të bëjnë për ta arritur këtë. Do të ishte e tepërt të pritej që çdo kompani teknologjike do të dalë me kuadrin e vet etik për kontrollin e inteligjencës artificiale“, thotë ai.

Po nëse nuk mund t’u besojmë kompanive të mëdha për krijimin e binarëve ku do të ecë kjo teknologji, kujt duhet t’i besojmë? Qeverive?

Bostrom është skeptik në këtë pikë.

“Nuk ka ende propozime të qarta për politikat me të cilat qeveritë duhet të ndërhyjnë. Tani për tani, nuk është e qartë se çfarë dëshirojmë që qeveritë të bëjnë. Duhet ta zgjerojmë debatin. Kapitalizmi duhet të punojë me qeveritë që krijojnë rregulla sjelljeje dhe kompani që e zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda këtyre rregullave. Por ekziston një mungesë ekuilibri kulturor midis Silicon Valley (zona ku ndodhen kompanitë më të mëdha teknologjike) dhe qeverive: Silicon Valley është i prirë për të qenë i lirë, ndërsa qeveritë janë shumë prapa dhe nuk kanë lëvizje sipërmarrëse“. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /

Loading...
Previous articlePentagoni po shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Gjirin Persik?
Next articleKushtetuta gjermane mbush 70 vjet: Njeriu në epiqendër