Home Ballkani Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian shprehin shqetësim lidhur me projektligjin për...

Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian shprehin shqetësim lidhur me projektligjin për shtypin në Shqipëri

Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq, ka shprehur shqetësime lidhur me projektligjin për shtypin në Shqipëri, për të cilin kritikët thonë se minon lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Parlamenti i Shqipërisë pritet të shqyrtojë të mërkurën pakon ligjore “anti-shpifje”, përmes së cilës, autoritetet shqiptare, synojnë të obligojnë mediat online të regjistrohen në organet qeveritare.

Masa ligjore parasheh gjoba të larta për mediat e paregjistruara.

Mijatoviq tha se pakoja e propozuar ka nevojë për “përmirësim urgjent”, pasi disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirisë së shtypit. Mijatoviq u kërkoi ligjvënësve shqiptarë të ndryshojnë legjislacionin në përputhje me rregullat evropiane.

Konkretisht, ajo shprehu shqetësime lidhur me kompetencat që ky ligj u jep dy organeve rregullatore, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive, për të bllokuar faqet e internetit të mediave, pa një urdhër gjykate.

“Është me rëndësi të madhe që interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe të mbizotërojë vetë-rregullimi nga mediat, përfshirë ato online”, tha ajo.

Edhe Komisioni Evropian (KE) ka shprehur shqetësime lidhur me projektligjin për shtypin në Shqipëri, pavarësisht ndryshimeve që i janë bërë gjatë ditëve të fundit, transmeton Zëri i Amerikës.

Një zëdhënës i Komisinit Evropian, i pyetur nga Zëri i Amerikës, ka thënë se varianti i fundit nuk merr paraysh një sërë rekomandimesh që i janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtar.

Masa ligjore është kritikuar nga shoqatat e gazetarëve shqiptarë si dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Grupet e gazetarëve kanë planifikuar një protestë të mërkurën, në kohën kur parlamenti debaton për projektligjin.

Loading...
Previous articleHekurudhat gjermane kërkojnë punëtorë, paga deri në 50 mijë euro në vit!
Next articleShuhet shkrimtari shqiptar që jetoi ferrin e internimit prej mendimeve të lira