Home Aktualitet Gjendja e pandemisë në Shqipëri dhe në Europë gjatë 24 orëve të...

Gjendja e pandemisë në Shqipëri dhe në Europë gjatë 24 orëve të fundit

Të dhëna të përditësuara për gjendjen e pandemisë në Shqipëri dhe në Europë gjatë 24 orëve të fundit, datë 13 prill 2020.

Relacion ditor i E-group-it “Në ndjekje të pandemisë”, që funksionon pranë Akademisë së Shkencave 

Frenim pozitiv në shkallë botërore, vazhdon ulja e të infektuarve të rinj në ditë në Perëndim, prirje e moderuar në vendet e Lindjes

Në Shqipëri gati gjysma e te prekurve gjithsej rezultojnë të shëruar

1.Prirja më evidente e ditës së djeshme për ndryshimet në gjendjen e pandemisë në shkallë globale ishte ulja relative e ritmit të përhapjes së saj. Në gjithë botën dje rritja e numrit të të sëmurëve të rinj rezultoi 4 për qind, nga 4.7 një ditë më parë, ndërsa në SHBA ky tregues ishte 5.1 për qind, nga 5.9 nje ditë më parë e në Britaninë e Madhe: 6.6 për qind, nga 7 për qind. E rëndësishme është që rënie u regjistruan edhe në numrin e jetëve njerëzore të humbura, ulje qe shkoi nga 10 për qind deri në 20 për qind në shkallë botërore, në SHBA dhe në Britani.

2.Edhe në vendet kryesore europiane vazhdoi ulja e ritmeve të rritjes krahasuar me një ditë më parë. Në Spanjë numri i të sëmurëve të rinj u shtua me 2.33 për qind, në Itali me 2.7 për qind, në Francë me 2.8 për qind, në Gjermani me 2 për qind, në Austri me 1 për qind, në Zvicër me 1.3 për qind, në Hollandë me 4.8 për qind dhe në Belgjikë me 5.8 për qind. Këto ritme janë ndër më të ulëtat që prej fillimit të përhapjes së pandemisë në këto vende.

3.Në tri vende: Gjermani, Austri e Zvicër, u kalua në fazën kur numri i të shëruarve gjithsej është më i lartë se ai i të sëmurëve gjendje faktike. Të shëruarit në këto vende arritën mbi 50 për qind të të prekurve gjithsej.

4.Në vendet e Lindjes dhe në ato të rajonit, që njihen për një përhapje të ulët të pandemisë, si Polonia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia, dje rritja e numrit të të sëmurëve ditorë ishte në nivelet nga 5 për qind deri në 8 për qind.

5.Të dhënat tregojnë se, për fat të keq, Kosova edhe dje shfaqi të njëjtën gjendje shqetësues: si gjatë javës së fundme, numri i përgjithshëm i të infektuarve të rinj u rrit me 28 për qind. Prishtina tashmë është një qytet në karantinë brenda karantinës së përgjithshme të vendit.

6.Në Shqipëri u shenjua një rritje me 4.7 për qind, nga 3 për qind raportuar një ditë më parë. Ky ndryshim ne shkallë vendi ka ndodhur për shkak të ndikimit të rritjes mbi mesataren e vendit javën e fundit në Shkodër. Ndërkohë që rritja mesatare ditore në vend e në Tiranë ka qenë 3-4 për qind në ditë, në Shkodër gjatë javës së fundme ka qenë 6.8 për qind në ditë, çka shtron nevojen e trajtimit të veçantë të kontrollit të pandemisë në këtë zonë. Megjithate, tek ne vazhdon ritmi pozitiv i shërimeve. Sot të shëruarit janë mbi 50 për qind të numrit të të infektuarve; numri i tyre është më i lartë se i të sëmurëve aktualisht.

Buletin VI, datë 12.04.2020

Ulen ritmet e rritjes së të infektuarve të rinj, shtohen të shëruarit

Gjendja e pandemisë në Shqipëri dhe në Europë, datë 12 prill 2020, sipas relacionit të E-group-it ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë”, ngritur pranë Akademisë së Shkencave

1.Të dhënat për gjendjen e pandemisë, përhapjen dhe përballimin e saj, në tërësinë e tyre tregojnë se gjatë 24 orëve të fundme ka një ulje të ritmit të rritjes së të prekurve të rinj në shkallë botërore, në Europë dhe në vatrat e mëdha. Konkretisht, shtimi i numrit të të sëmurëve të rinj në shkallë botërore dje ishte 4.7 për qind, nga 5.8 një ditë më parë; në SHBA ishte 5.9 për qind, nga 7.1 gjatë ditës së kaluar dhe në Britaninë e Madhe 7 për qind, nga 9.8 për qind pardje. Ndërsa në shtetet europiane më të prekura edhe dje u vërtetuan rritje të ulëta: në Spanjë 3 për qind, në Francë 3.8 për qind, në Gjermani 2.7 për qind, në Belgjikë 5.2 për qind, në Zvicër 2.26 për qind, në Austri 2 për qind dhe në Hollandë 5.7 për qind.

2.Një zhvillim tjetër pozitiv që po vazhdon është shtimi i numrit të të shëruarve me një ritëm të mirë, në përqindje dhe në shifra absolute gjithashtu. Gjatë ditës së djeshme në shkallë globale rezultuan të shëruar 26.455 vetë. Ndërsa në vendet kryesore europiane të prekura nga pandemia (Spanjë, Gjermani, Francë, Itali) u shenjuan nga 2.000 deri 3.500 të shëruar brenda ditës së djeshme. Ulja e numrit të jetëve njerëzore të humbura në vendet më problematike, si Franca, Spanja dhe Belgjika, përbën një ndryshim tjetër pozitiv. Këto vende dje kanë regjistruar 630 humbje më pak. Ndërkohë Italia, për një kohë të gjatë epiqendër e pandemisë, dje s’ka shenjuar ndonjë përmirësim të dukshëm nga ditët e fundit në treguesit e përgjithshëm.

3.Ritme të kontrolluara dëshmohen edhe në vendet e rajonit, si Bosnja e Hercegovina, Maqedonia Veriore, Serbia, si dhe Polonia e Rumania, ku ritmi i shtimit të të infektuarve gjatë 24 orëve ishte në nivelet 5-9 për qind. Ditët e fundit Kosova ka një ringritje të treguesve të përhapjes së pandemisë, duke shenjuar një ritëm mesatar ditor të rritjes së të sëmurëve prej 10 për qind.

4.Shqipëria vazhdon të konsolidojë prirjen e dëshiruar, me 13 të prekur të rinj gjatë ditës së fundit: rritja ditore e të infektuarve është dëshmuar 3 për qind, nga 4 për qind gjatë një ditë më parë. Me 20 të shëruar të rinj ditën e djeshme, raporti i të shëruarve gjithsej kundrejt numrit të përgjithshëm të të infektuarve shkon në rreth 48,6 për qind, duke ndjekur kështu të njëjtin raport që është njoftuar në vende të tilla si Zvicra dhe Austria. Për pasojë, në këto vende, si dhe në Gjermani, prej disa ditësh shenjohet dukuria më pozitive e gjithë zhvillimeve të pandemisë që nga shfaqja e saj deri më sot: ulja e numrit të të sëmurëve faktikë në shifra absolute. Tek ne sot numri i të sëmurëve faktikë është 206, nga 239 të njoftuar më 6 prill.

Loading...