Home Lajmet kryesore Ajo që ndodhi në Vjenë s’është “turp kombëtar” për shqiptarët, por kemi...

Ajo që ndodhi në Vjenë s’është “turp kombëtar” për shqiptarët, por kemi një problem me islamin radikal

Nga Enver Robelli

Natyrisht që asnjë shqiptar, asnjë njeri, asnjë besimtar paqësor nuk është fajtor për krimin e tjetrit. Andaj edhe vetëkamxhikosja nuk është e dobishme fare.

Krimi është individual dhe për këtë të dyshuarit duhet të paguajnë çmimin më të lartë të mundshëm sipas ligjeve përkatëse.

Etiketimi paushall se ngjarja e Vjenës bie si “turp mbi krejt kombin” është absurde. Me këtë logjikë do të mund të akuzoheshin krejt të krishterët vetëm pse disa priftërinj merren me pedofili.

Por krimi i llahtarshëm në Vjenë nuk duhet të shërbejë as për indiferencë. Shoqëria shqiptare (në diasporë dhe në viset shqiptare) ka një problem me radikalizmin islamist.

Kjo është një pakicë pothuaj e padukshme, por e rrezikshme, sepse nuk ngurron të përdorë dhe dhunën për të kryer krime në emër të fesë.

Çka duhet bërë? Qeveritë në Tiranë, Prishtinë e Shkup duhet të shikojnë se çfarë imamësh po ligjërojnë në disa xhami në diasporë.

Duhet të shikohet se çka postohet në ëebfaqet e këtyre xhamive. Bërllok dhe urrejtje. Në ëebfaqen e një xhamie në Vjenë besimtarët shqiptarë pyesin: “Hoxhë, a guxoj të martohem me një belge?”, “A bën të shkojë gruaja në pishine publike?”, “A bën të kremtojmë Vitin e Ri?”

Dhe hoxha përgjigjet: jo, jo, jo. Sepse kjo është mëkat, gjynah. Sepse myslimani, sipas imamëve radikalë, duhet të bëjë gjithçka të mos i ngjasojë atij me fe tjetër!

Pse po tolerohen këta imamë? Dhe pyetja vlen sidomos për qeveritë perëndimore, të cilat nganjëherë më shpesh i pajisin me viza imamët urrejtjenxitës se sa një student apo mjek?

Pse predikimet e imamëve në diasporë shpesh ose përherë nuk kanë lidhje me jetën e njerëzve këtu, me hallet e tyre, por merren me tema që janë thellësisht në kundërshtim me vlerat perëndimore?

Si u bë që në Gjermani, Zvicër e Austri hyjnë e dalin imamë që njihen për predikime agresive e antikombëtare?

Çka bëjnë përfaqësitë diplomatike të tri shteteve ku shqiptarët qeverisin? Çka bëjnë institucionet e sigurisë?

Nuk ka faj kolektiv, por secili shqiptar që është besimtar duhet ta ketë të qartë pas cilit imam po lutet? Dhe sa janë seriozë këta imamë që duke shfrytëzuar edhe injorancën e shumë njerëzve në diasporë (por edhe në atdhe) mbushin sallat me predikime absurde, gjysma në arabisht, sa për të krijuar përshtypjen e dijetarëve?

Nuk janë dijetarë. Janë faqezinj që keqpërdorin fenë për agjendat e tyre antikombëtare.

Loading...