Home Lajmet kryesore “Deep state”, ose “Shteti i nëndheshëm”: Teori komplotiste apo realitet?!

“Deep state”, ose “Shteti i nëndheshëm”: Teori komplotiste apo realitet?!

Që në kohët më të lashta kanë ekzistuar teori dhe besime sipas së cilave bota udhëhiqet nga e keqja, dmth nga Djalli. Prandaj ka edhe aq shumë padrejtësi, vuajtje dhe mjerim. Njerëz dhe kombe, të pakënaqur me gjendjen e tyre të përgjithshme, kërkonin arsyet dhe shkaqet e këtyre padrejtësive, duke e drejtuar gishtin herë ndaj ndaj disa figurave të njohura dhe herë tjetër ndaj disa grupimeve të caktuara. Inkuizicioni ndaj të ashtuquajturve « heretikë » apo « gjuetia e shtrigave » u përdorën në mesjetë si një armë e sukseshme në forcimin e pushtetit të fesë ndaj « grigjës » së bindur dhe të hutuar.

Por jo më shumë larg se vitet ’30 të shekullit të kaluar çifutët dhe frank masonët provuan mbi kurrizin e tyre pasojat e një politike të tillë. Hitleri psh, duke përdorur ndër të tjera edhe librin me autorësi të dyshimtë « Protokolli i të Mënçurve të Sionit » i akuzoi çifutët se donin të sundonin botën.  Të njëjtën akuzë dhe përndjekje provuan mbi supet e tyre edhe frank – masonët, një organizatë pothuajse sekrete e lindur në Skoci rreth vitit 1600 dhe e shtrirë që atëhere në shumë shtete të Europës, në Amerikë , Australi dhe gjetkë. Madje thuhet se edhe rilindasi i shquar Konstandin Kristoforidhi mbante lidhje të rregullta me Llozhën Masonike të Londrës. Siç përflitet se frank – masonët janë të përfshirë sot edhe në jetën politike sociale të vendit tonë që pas rënies së komunizmit.

Por edhe në kohët e sotme të quajtura « moderne », teori të tilla vazhdojnë të gjallojnë dhe gëlojnë me shumicë. Teoria e fundit, e cila ka gjetur përkrahës të shumtë anë e mbanë botës njihet dhe emërtohet si « Komploti i Deep State » ! Fillozofë, politikanë dhe teoricienë të pafund përpiqen të spjegojnë dhe të bindin njerëzit se bota jonë udhëhiqet sot nga një « shtet i nëndheshëm », i cili i merr të gjitha vendimet pa pyetur fare për vullnetin e popujve ! Eshtë grupi i njohur si organizata « Bilderberg” të cilit i atribuohen dhe i vishen të gjitha këto “mëkate”.   Në këtë organizatë bëjnë pjesë elita fianciare, bankiere, industrialiste, mediatike dhe politike e globit, pohojnë mbështetësit e kësaj teorie.

“Një botë pa kufinj, çthurrje morale, përhapje e organizatave LGBTQ, vënia e interesit të individit mbi atë të kolektivit” – është strategjia e mishëruar nga kjo lloj oligarkie planetare, e përbërë nga njerëzit më të fuqishëm të planetit, që janë bashkuar për të mbrojtur interesat e tyre, në një ekonomi botërore ku një grusht miliarderësh bëhen çdo ditë e më të pasur se gjithë pjesa tjetër e botës. Dhe një nga eksponentët më të spikatur të kësaj organizate sekrete qënka, sipas tyre, multimiliarderi i njohur Xhorxh Soros. “Neoliberalizmi, tregtia e lire dhe pa kufinj, zhdukja e rolit të shtetit, mbrojtja e Bashkimit Europian dhe akuzat kundër përfaqësuesve të sovranitetit të popujve të njohur si populistë, – janë, sipas tyre, objektivat e kësaj kaste okulte që mëton të sundojë sot botën.

Ishte gazetari lituanez Daniel Estulin që ka portretizuar dhe stigmatizuar organizatën “Bildenberg” , e emërtuar kështu pasi mbledhjet e saj të para i mbajti në hotelin me të njëjtin emër në një qytet të vogël të Hollandës. Sipas tij, që prej vitit 1954, një herë në vit, ky grupim “select” mblidhet për të vendosur rreth së ardhmes politike dhe ekonomike të njerëzimit. Shkrimtari lituanez pohon se ka punuar dhe është impenjuar gjatë 15 vjetëve për të zbuluar atë që nuk duhej të dilte në shesh, pra që ekziston një klasë drejtuese mbikombëtare që vendos se si duhet të veprohet në politikë, në ekonomi dhe në çështjet me karakter ushtarak në të gjithë botën.

Libri i tij “Zotërit e Botës” ështê përkthyer në 50 gjuhë dhe shpërndarë në mbi 70 vende, duke u kthyer kështu në një best-seller botëror.

“Asnjë gazetar nuk lejohet të marrë pjesë në këto takime”, – pohon me bindje shkrimtari lituanez me banim në Spanjë. Por duket se këtu ai gabon. Gjatë “krizës” së Kosovës në vitin 1999, njëri nga gazetarët dhe editorët më të njohur të shtypit kosovar të asaj kohe, me shumë gjasa është ftuar të marrë pjesë në një nga këto takime para fillimit të fushatës të bombardimeve të NATO-s atje!

Ideologjia zotëruese e “Shtetit të nëndheshëm” është mishëruar edhe në skakierën ndërkombëtare nëpërmjet organizmave si OKB, Organizata Botërore e Tregtisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, shumëkombëshet, bankat, OJQ-të të cilat bashkëpunojnë për të vënë poshtë sovranitetin e shteteve! Këto akuza dhe supozime do të shkaktonin të qeshura të pandërprera dhe tallje publike në rast se nuk do të kishin gjetur përhapje të gjërë deri edhe në rrethet e larta të elitës ekonomike dhe politike në botë.

Hubert Vedrine, ish ministër i jashtëm i Francës duke folur për rolin e lidershipit amerikan në botë pohoi se: “Shteti i nëndheshëm amerikan, i cili nuk guxoi kurrë tê përballet me superfuqinë kineze, por zgjodhi të caktojë Rusinë si kërcënimin kryesor, e çoi situatën edhe më keq se gjatë Luftês së Ftohtë. Dhe kjo nuk ka asnjë kuptim”! Po ashtu Stiv Banon, njëri nga ish – këshilltarët më të ngushtë të presidentit në largim Donald Trump, akuzoi për humbjen e këtij të fundit pikërisht “ Deep State”-in amerikan, një konglomerat, sipas tij, i përbërë nga bankierët e Uoll Stritit, administrata e pandryshuar e Uashingtonit, mediat e mëdha elektronike si Facebook etj, media vizuale si CNN, shtypi i shkruar, CIA, FBI etj etj.

Rasti i “Logjias Pi Due” në Itali, ku një organizatë sekrete, e udhëhequr nga Liçio Xheli, u përpoq të “infiltronte” ingranazhet e shtetit me synim për të hedhur në erë “kompromisin historik” të asaj kohe ndërmjet kristian demokratëve dhe komunistëve të Berlinguerit, sillet po ashtu si provë e direktivave të marra nga “lart” për të përmbysur me çdo kusht këtë aleancë që vinte në rrezik interesat e Perëndimit dhe të NATO-s. Dhe dihet qê kjo “aferë” përfundoi me vrasjen e kryeministrit italian të asaj kohe, Aldo Moros, dhe gjetjen varur në një urë të Londrës të Liçio Xhelit!

Hartuesit dhe përkrahësit e teorisë së “Shtetit të nëndheshëm” për të mbështetur bindjet e tyre gjejnë shkak dhe marrin si shembull edhe rastin e pandemisë së fundit të shkaktuar nga Covid 19 duke deklaruar, pa shumë prova bindëse, se kriza e tanishme sanitare dëshmoi qartë se “laboratoret farmaceutike ndërkombëtare po ushtrojnë presion mbi qeveritë që të trumpetohet më shumë roli i vaksinimit të njerëzve, (që sjell shumë më tepër të ardhura) sesa prodhimi dhe përdorimi i barnave për të shëruar të prekurit nga kjo sëmundje!

Por pyetja që mbetet sidoqoftë pa përgjigje ështê: çfarë ka të vërtetë dhe të gënjeshtërt në të gjitha këto spekullime, hamëndje apo dhe dëshmi?! A kemi të bëjmë këtu thjesht me një legjendë të grupeve komplotiste dhe konspiracioniste apo me diçka që mbështetet në prova dhe fakte?! …

Përgatitur për “TemA” nga Viron Gjymshana

Loading...