Home Bota “Izraeli vret numrin 2 të Al Kaedës në Iran për llogari të...

“Izraeli vret numrin 2 të Al Kaedës në Iran për llogari të SHBA-ve”

Lideri i dytë në radhë në hierarkinë e Al-Kaedës është vrarë nga agjentët izraelitë në Iran në muajin gusht, raporton gazeta amerikane The New York Times. Burime të Inteligjencës i kanë thënë gazetës se të gjitha palët e kanë mbajtur të fshehtë vrasjen që nga ajo kohë.

Sipas gazetës, komandanti i dytë i Al-Kaedës dhe vajza e tij u qëlluan për vdekje tre muaj më parë në rrugët e Teheranit nga një grup vrasësish izraelitë të cilët po vepronin “me urdhër të Shteteve të Bashkuara”.

Autoritetet iraniane pretendohet se e kanë mbajtur vrasjen të fshehtë këtë dhe se vetë al-Kaeda nuk ka zbuluar asgjë për vdekjen e një prej anëtarëve të saj themelues.

Abdullah Ahmed Abdullah, i njohur edhe si Abu Muhammad al-Masri, dyshohet se u qëllua më 7 gusht së bashku me vajzën e tij Miriam nga dy vrasës izraelitë të hipur në një motor.

Abdullah dhe vajza e tij kishin jetuar lirshëm në rrethin Pasdaran të Teheranit që nga viti 2015, kur ata u liruan nga paraburgimi si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish me grupin terrorist.

Miriam ishte e veja e Hamza bin Laden, birit të organizatorit të pretenduar të 11 shtatorit Osama Bin Laden.

Nuk është e qartë pse Izraeli do të zgjidhte këtë moment të veçantë për të zbuluar se kishte kryer një vrasje pa gjyq në tokën iraniane për SHBA-në.

Megjithatë kjo ngjarje mund të ketë një vlerë strategjike për Tel Avivin, për ta pikturuar Iranin si një komb që strehon me dëshirë terroristët.

Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden ka lënë të kuptohet se ai do të kthejë marrëveshjen bërthamore me Iranin, e cila u nënshkrua në vitin 2015 por që presidenti Donald Trump nuk e mbështeti.

Izraeli ka paralajmëruar SHBA-në se rifutja e marrëveshjes bërthamore do të shkaktojë luftë në Lindjen e Mesme.

Irani mohon vrasjen e numrit 2 të Al Kaedës nga agjentët izraelitë

Irani ka hedhur poshtë lajmet se një komandant i Al-Kaedës është vrarë brenda territorit të tij nga agjentë izraelitë.

Irani e ka konsideruar lajmin e publikuar fillimisht nga “New York Times” si një trillim të përdorur nga SHBA-ja dhe Izraeli për të shmangur përgjegjësinë për lidhjet e tyre me grupin terrorist.

Neë York Times raportoi se komandanti i dytë i Al-Kaedës u vra në Iran në muajin gusht nga agjentë izraelitë dhe se operacioni u mbajt i fshehtë nga publiku deri këtë javë. Gazeta tha se operacioni ishte kryer me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Por Ministria e Jashtme e Iranit reagoi pas këtyre lajmeve, duke e konsideruar historinë si të pabazë dhe tha se nuk kishte “terroristë” të Al-Kaedës në tokën iraniane.

“Kohë pas kohe, Uashingtoni dhe Tel Avivi përpiqen ta lidhin Iranin me grupe të tilla duke gënjyer dhe nxjerrë informacion të rremë në media në mënyrë që të shmangin përgjegjësinë për aktivitetet kriminale të këtij grupi dhe grupeve të tjera terroriste në rajon.”– tha zëdhënësi i ministries, Saeed Tha Khatibzadeh, citon RT. Ai nxiti mediat amerikane “të mos ndjekin skenarët e Hollivudit të autoriteteve amerikane dhe zioniste”.

Sipas NYT, Abdullah Ahmed Abdullah dyshohet se u qëllua së bashku me vajzën e tij Miriam në 7 gusht nga dy vrasës izraelitë të hipur në një motor, ndërsa ata lëviznin lirshëm në rrugët e Teheranit.

Abdullah dhe vajza e tij thuhet se kishin jetuar të lirë në Teheran që nga viti 2015, pasi u liruan nga paraburgimi si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve me grupin terrorist.

Komandanti i supozuar i Al-Kaedës kërkohet nga FBI pasi dyshohet si i përfshirë në bombardimet e vitit 1998 në ambasadat e SHBA-së në Dar es Salaam (Tanzani) dhe Nairobi (Kenia).

Loading...