Home Bota Nata e torturës në Ritz Hotel/ Princët sauditë u torturuan dhe iu...

Nata e torturës në Ritz Hotel/ Princët sauditë u torturuan dhe iu morën paratë e aferave, gjatë spastrimeve nga bin Salman

Princët e pasur sauditë ishin torturuar, shantazhuar dhe urdhëruar të dorëzonin paratë nga llogaritë në bankat e Zvicrës, në atë që njihet si “nata e rrahjeve” kur princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman nisi spastrimin e elitës së shtetit, thuhet në deshmi të reja.

Mbledhja e nëntorit 2017 në hotelin Ritz-Carlton në Riad përshkruhet si shtypja e dhunshme e korrupsionit dhe vjedhjes së pushtetit, nga princi i kurorës që kërkonte të modernizonte mbretërinë.

Një burim i asaj nate ka folur me të përditshmen britanike “The Guardian”, duke përshkruar sesi të gjithë princëve e biznesmenëve prezentë iu mbyllën sytë, u rrahën e u lidhën nëpër mure.

Disa prej tyre u kërcënuan me publikimin e aferave të tyre jashtëmartesore apo te marrëveshjeve ilegale te biznesit.

Në këtë kohe hetuesit e Mohammed bin Salman nisën të bënin kërkesa të dyshimta ndaj bankave zvicerjane për paratë saudite të korrupsionit, çka solli dyshime e trazira në Evropë.

Arabia Saudite thotë se me operacionin e saj të spastrimit ka rekuperuar $107 miliardë, ndërsa burime të tjera thonë se shifra e mbledhur ishte vetëm $28 miliardë.
Por burimet thonin se hetuesit nuk e kishin idenë e vjedhjeve apo të aseteve ‘offshore’ të oligarkëve.

Disa prej të burgosurve të asaj nate kanë thënë në konfidencë se nuk e kuptonin arsyen e mbajtjes, pasi favoret personale dhe marrëveshjet nën dorë ishin pjesë e pranuar e sistemit saudit.

Mes më shumë se 381 njerëzve, ishin Princi miliarder Al-Waleed bin Talal, i cili u mbajt i arrestuar për rreth 80 ditë.

Një tjeter ishte kreu i Gardës Kombëtare Princ Miteb bin Abdullah, i cili sipas raportimeve u lirua pasi dorëzoi rreth $1 milairdë.

Burimet thonë se “nata e rrahjes” kishte si qëllim ‘të zbuste’ të ndaluarit para ardhjes së hetuesve për marrjen në pyetje.

Të burgosurit ishin lidhur në mure, në pozicione të vështira apo degraduese, dhe aktet e torturës vazhduan për disa orë në ambjentet luksoze të hotel Ritz-Carlton.

Mes fushatës së princit 35 vjeçar për të ashtuquajturin modernizim të mbretërisë, besohet se qëndron si arsye dhe konsolidimi i pushtetit të tij.

Në reformat e fundit gratë saudite janë lejuar të drejtojnë makinën, që është diçka impresionuese për mbretërinë konservatore muslimane.

Gjithsesi imazhi i princit të kurorës është dëmtuar nga eliminimi i gazetarit disident saudit Jamal Khashoggi qe ka shkaktuar largimin e investitorëve perëndimore nga Arabia Saudite.

Loading...