Home Lajmet kryesore Deshifrohet pas 50 vitesh kodi i vrasësit serial

Deshifrohet pas 50 vitesh kodi i vrasësit serial

Më shumë se gjysmë shekulli pasi i ashtuquajturi “Vrasësi i Zodiakut” nisi të terrorizojë rrugët e veriut të Kalifornisë, një skuadër deshifruesish besohet se më në fund ka thyer një prej mesazheve të koduara më misterioze të vrasësit serial, që i ishte dërguar gazetës “San Francisco Chronicle” në vitin 1969.

I quajtur “kodi 340”, mesazhi u deshifrua nga tre persona: David Oranchak, një zhvillues programesh kompjuterike në Virxhinia, SHBA, Jarl Van Eycke, një programues kompjuterik belg, dhe Sam Blake, një matematikan australian.

“Shpresoj që të jeni duke u argëtuar në përpjekjen për të më kapur mua. Nuk isha unë personi që foli në emisionin televiziv. Nuk kam frikë nga dhoma e gazit sepse do të më dërgojë edhe më shpejt në parajsë. Sepse tani kam mjaftueshëm skllevër që punojnë për mua ndërkohë që të tjerët nuk kanë asgjë kur të arrijnë parajsën, prandaj kanë frikë nga vdekja. Unë nuk kam frikë nga vdekja sepse e di që jeta ime do të jetë e lehtë në vdekjen e parajsës”.

Mesazhi i koduar iu dërgua gazetës dy javë pasi një person ndërhyri përmes telefonit në një emision televiziv të kohës duke pretenduar se ishte “Vrasësi i Zodiakut”.

Një prej vrasësve serialë më famëkeq në SHBA, “Vrasësi i Zodiakut” konsiderohet si autor i pesë vrasjeve ende të pazbuluara, të ndodhura në periudhën 1968-69. Ai nuk u arrestua kurrë, por fitoi popullaritet duke i shkruar letra policisë dhe mediave deri në vitin 1974, ndonjëherë të koduara, duke u mburrur për vrasjet, duke pretenduar se kishte kryer 37 të tilla. Në një deklaratë, FBI tha se çështja mbetet ende e hapur në zyrën e San Franciskos.

Historia është portretizuar në disa libra, filma dhe seriale të ndryshëm.

Loading...