Home Lajmet kryesore Kapen 2 ton kanabis në Spanjë, shqiptarët kontrollonin plantacionet dhe “kopshtarët”

Kapen 2 ton kanabis në Spanjë, shqiptarët kontrollonin plantacionet dhe “kopshtarët”

Policia spanjolle në bashkëpunim me autoritetet holandeze dhe belge kanë sekuestruar 2 ton marijuanë, ndërsa 19 persona i kanë arrestuar, mes të cilëve shqiptarë në pozicione kryesore në organizatën kriminale. Në operacion morën pjesë 300 agjentë, u bastisën 63 banesa dhe objekte në Spanjë, ndërsa u zbuluan 34,000 bimë kanabis, 14 automjete, 20,000 euro dhe një pistoletë.

Organizata drejtohej nga holandezë të mbështetur nga shqiptarët, të cilët ishin përgjegjës për gjithçka që lidhej me kultivimin e marijuanës dhe nga disa spanjollë që ishin të ngarkuar me logjistikën. Ata instaluan plantacionet në shtëpi ose depo me qasje të vështirë, gjithmonë larg qendrave të banuara për të kaluar pa u vërejtur.

Hetimet e para u zhvilluan kur agjentët zbuluan praninë e një grupi trafikantësh të drogës, të përbërë kryesisht nga shqiptarë, të cilët vepronin në Spanjë, Belgjikë dhe Holandë, teksa Spanja ishte një nga pikat nevralgjike të organizatës.

Përmes një qytetari spanjoll, ata arritën të lokalizonin dhe gjenin shtëpitë, teksa të dhënat i modifikuan në mënyrë që të mos gjendeshin. “Kopshtarët” ishin përgjegjës për kultivimin dhe mirëmbajtjen e plantacioneve. Përveç kësaj, ata duhej të ishin të matur dhe të qëndronin brenda ndërtesave gjatë kohës së kultivimit deri në korrje.

Sapo shtëpia ishte në funksion të plotë, organizata kryente detyrat e saj të mbikëqyrjes përmes një qytetari me origjinë shqiptare. Banda përdorte pasaporta italiane, greke dhe sllovene dhe dokumente identiteti, të gjitha të falsifikuara, për ta bërë të vështirë identifikimin./ db/Abcnews.al

Loading...