Home Bota Si do të “rivlerësojë” Biden-i marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite

Si do të “rivlerësojë” Biden-i marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite

Premtimi i presidentit amerikan Joe Biden për të “rivlerësuar” marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite ishte një nga premtimet më të guximshme të tij për politikën e jashtme. Tani duket se ka një shtysë në Shtëpinë e Bardhë për ta zbatuar atë premtim, pasi politika e SHBA-së karshi mbretërisë po zhvendoset me shpejtësi. Veprimet e para të Biden-it ishin përfundimi i mbështetjes për fushatën e diskutueshme saudite në Jemen dhe rishikimi i transferimeve të planifikuara të armëve për Riadin zyrtar. Por Biden-i mund të mos ndalet këtu dhe do të kërkojë të ndërtojë një qasje të re, gjithëpërfshirëse, në trajtimin e një prej aleatëve më të diskutueshëm amerikanë në Lindjen e Mesme.

Në një përpjekje për të shlyer SHBA-në nga trashëgimia e Trump-it, i cili i dha Princit ambicioz të Kurorës Mohammed bin Salman (MBS) një “çek të bardhë” për të realizuar aspiratat e tij rajonale, Biden-i është i prirur të ristrukturojë marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite. Llogaritjet e Biden-it janë sa vendore aq edhe ndërkombëtare. Presidenti duket se është i orientuar drejt zbutjes së audiencës në vend, siç është Kongresi, i cili shpreson të shohë një dorë më të fuqishme në qasjen amerikane ndaj Arabisë Saudite. Pritje të tilla janë veçanërisht të përhapura midis vetë demokratëve të Biden-it, të cilët shpresojnë që Arabia Saudite do të bëhet, sipas fjalëve të Biden-it, “e dëbuar”. Biden është gjithashtu i etur për të rivendosur SHBA-në si një bastion i të drejtave të njeriut dhe vlerave liberale në arenën ndërkombëtare, gjë që kërkon një shkëputje të pastër nga disa prej politikave të dyshimta rajonale të Riadit dhe histori me të dhëna të negative mbi të drejtat e njeriut.

Përveç ndryshimit të politikës amerikane për Jemenin, Biden-i do të jetë i prirur të përballet me mbretërinë për dy çështje. Më e rëndësishmja, ai do të trajtojë të dhënat e tmerrshme të Riadit për goditjen e kundërshtarëve dhe aktivistëve politikë të brendshëm, duke filluar me rishikimin e vrasjes brutale të vitit 2018 të Jamal Khashoggi-t. Së dyti, Biden pritet të shfaqë pushtet ndaj MBS-së, duke e kthyer marrëdhënien midis Washington-it dhe Riadit përsëri në një nivel institucional në vend të nivelit personal, duke dobësuar kështu aftësinë e Princit të Kurorës për të projektuar pushtetin dhe drejtuar politikën e jashtme saudite. Në këtë kuptim, qasja e ardhshme e Biden-it ndaj Arabisë Saudite duket të jetë një rishikim total i epokës së Trump-it.

Hapat e ardhshëm të Biden-it

Administrata pritet të publikojë një raport të paklasifikuar mbi vrasjen e Jamal Khashoggi-t në ditët në vijim. Gjetjet e raportit mund të implikojnë nivelet më të larta të udhëheqësisë së Arabisë Saudite, përfshirë Princin e Kurorës. Përderisa Trump ishte i pavëmendshëm ndaj gjithë çështjes dhe minimizoi rolin e mundshëm të MBS-së në urdhërimin e vrasjes, Biden mund të nxitej të merrte një qëndrim më të ashpër, me gjithnjë e më shumë detaje që janë duke u bërë publike.

Kjo mund të jetë fillimi i një politike ku Biden mund të marrë një qëndrim më publik kundër trajtimit të opozitës së brendshme politike nga Arabia Saudite. Figura qendrore në të gjithë këtë situatë duket të jetë princi i kurorës, i cili ka mbikëqyrur politikat e mbretërisë në vitet e fundit, duke përfshirë goditjen e kundërshtarëve dhe aktivistëve politikë të brendshëm.

Biden po kërkon të distancojë SHBA-në nga Princi i Kurorës duke theksuar lidhjet institucionale midis dy vendeve. Ideja që MBS është një figurë e diskutueshme dhe jo e besueshme duket se është ngulitur mirë në Shtëpinë e Bardhë të Biden-it. Në një konferencë të mëhershme për media, sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë theksoi se homologu i Biden-it në Arabinë Saudite është Mbreti Salman, jo Princi i Kurorës. Kjo tregon një largim të madh nga qasja e mëparshme e SHBA-së ndaj udhëheqësisë Saudite.

Gjatë viteve të qeverisjes së Trump-it u vërejt që MBS zhvilloi një mirëkuptim të ngushtë personal me Jared Kushner-in, këshilltarin e politikës së jashtme dhe dhëndrin e ish-presidentit. Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite nën udhëheqjen e Trump-it, që fillimisht ishin ndërtuar në lidhje të fuqishme institucionale që tejkalonin linjat partiake, u bënë gjithnjë e më transaksionare. Marrëveshjet midis Washington-it dhe Riadit u reduktuan në negociata midis MBS-së dhe Kushner-it, ku Princi i Kurorë përfundonte i falur pavarësisht vendimeve të tij të paqëndrueshme dhe agjendës ambicioze.

Përderisa Trump priti MBS-në në Shtëpinë e Bardhë dhe mburrej me sasinë e armëve që ia ka shitur Arabisë Saudite, ai demonstroi se SHBA ishin të gatshme të falnin Princin e Kurorës në këmbim të transaksioneve të favorshme. Qasja e Biden-it ndaj MBS-së nuk do të jetë aq e thjeshtë. Biden padyshim do të duhet të fillojë bisedimet me mbretin Salman, pasi Arabia Saudite ende mbetet një partner i ngushtë për SHBA-në në një rajon të trazuar, megjithatë Princi i Kurorës mund të anashkalohet krejtësisht.

MBS gëzonte një linjë të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë me anë të Kushner-it. Tani ajo lidhje ka humbur dhe aftësia e Arabisë Saudite për të ndikuar në politikat përkatëse është zvogëluar shumë si rezultat i kësaj. Arsyeja e Biden-it duket se sugjeron që Arabia Saudite do të trajtohet ashtu si çdo vend tjetër për sa i përket politikës së jashtme të SHBA-së. Statusi i privilegjuar që Trump dhe ndihmësit e tij i dhanë mbretërisë tani është një e kaluar.

Kontrolli i dëmit nga Arabia Saudite

Që nga fillimi, Arabia Saudite është përpjekur të minimizojë përçarjen midis dy vendeve, duke shpallur se Riadi do të punojë ngushtë me Shtëpinë e Bardhë të Biden-it. Në fakt, Arabia Saudite ishte e shpejtë për të mbështetur lëvizjen e Biden-it për të kërkuar një zgjidhje politike në Jemen, në një përpjekje për të paraqitur vendimin e presidentit amerikan sikur të ishte në përputhje me interesat saudite. Megjithatë, ajo që është më me rëndësi, autoritetet saudite kohët e fundit liruan aktivistin e burgosur politik Loujain al-Hathloul në një veprim të drejtpërdrejtë për të qetësuar Washington-in dhe për të lehtësuar një pjesë të presionit mbi ta që ndërlidhet me të drejtat e njeriut.

Ka një zbutje të politikës së brendshme dhe asaj rajonale në Arabinë Saudite. Përderisa SHBA rivlerëson marrëdhëniet e saj me mbretërinë, me rezultate që mund të jenë të rëndësishme, Arabia Saudite po vlerëson gjithashtu pozicionin e saj. Sauditët nuk gëzojnë më qasje të privilegjuar në Shtëpinë e Bardhë, as nuk janë në gjendje t’u shpëtojnë kritikave dhe qortimeve për politikat e diskutueshme. Kjo e ka shtyrë Riadin të ulë strategjinë e tij rajonale, të mbështesë një zgjidhje politike në Jemen dhe madje të rimendojë aspektet e politikës së brendshme, siç sugjeron shembulli i lirimit të aktivistit Loujain al-Hathloul.

Autoritetet saudite tani ndoshta po presin “pa frymë” teksa Biden zbulon më tej se si synon të angazhohet me mbretërinë. Ishte domethënëse që Biden-i zgjodhi të veçonte Jemenin në fjalimin e tij të parë të madh të politikës së jashtme, një vendim që ka ndryshuar në mënyrë dramatike llogaritjet saudite. Afera ende e pazgjidhur Khashoggi dhe mos favorizimi i MBS-së në Washington sugjerojnë që Biden po përgatitet të përmbushë premtimin e tij për rishikimin e marrëdhënies. Me qëllimin përfundimtar të shkëputjes së hijes së gjatë të viteve të Trump-it, të cilat pothuajse panë aspiratat e Arabisë Saudite të realizoheshin, Biden po harton një qasje më të balancuar që sigurisht do t’i bëjë gjërat më të vështira për Riadin dhe Princin aspirues të Kurorës.//AA

Loading...